Sa rëndësi kanë të drejtat e njëriut në një shoqëri embrionike si kjo e jona?
Nga Flavia Hasko
Ne kemi 30 vite që prezumojmë se e kemi ndërtuar dhe e jetojmë jetën në demokraci. Para ’90, liria e shprehjes, e shtypit, e jetës, prona private, as që mund të mendohej, partia-shtet ishte ajo që qëndronte në krye edhe të mendimeve të tua duke uzurpuar çdo formë lirie. Gjatë asaj periudhe pati shumë të interrnuar politik, ushqimet ishin me tollona dhe të gjithë ishin në varfëri të barabartë. Ato 45 vite, ishin një luftë gjakatare për shqiptarët nga të gjitha vuajtjet që i’u injektuan. Pas ’90, duke se do do të lindte dritë nën moton “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Marshuan për të drejta dhe liri, për të vendosur ata dhe të zbatohej vullneti i popullit, të respektohej e drejta e jetës dhe e drejta e fjalës.
Por, sa ishim të përgatitur ne, dhe sa jemi aktualisht? Përgjatë viteve, skandalet s’kanë të sosur. Janë vrarë protestues duke luftuar për të zhdukur të korruptuarit nga kryesia e shtetit, e krejt skota e djajve me kollare të përcëllohej nga flakët e drejtësisë, dhe janë marrë vota me dhunë duke mos u respektuar vullneti i popullit. Pushteti është fituar me dhunë dhe është ruajtur me dhunë. E demokracia nuk ka qenë kurrë e jona, kurrë e përsosur.
Duke qenë të dërrmuar përgjatë këtyre dekadave, ne jemi duke ecur ngadalë drejt një shoqërie që vendos vetë për të ardhmen, një shoqërie që i njeh të drejtat e veta dhe lufton dhëmb më dhëmb kur ja përdhosin ato, kjo ecje e ngadaltë po shpresëplotë vjen si rrjedhojë e atyre që na kanë qeverisur pa mëshirë.
Doja që së fundmi, të bëhesha palë me kundërshti ndaj kësaj ngjarjeje të hidhur të dy ditëve më parë duke e cekur pakëz të drejtën themelore të njeriut për të jetuar. E drejta e njeriut për të jetuar është e garantuar me ligj, respektimin e të drejtave dhe lirive të çdokujt që ndodhet brenda juridiksionit të saj. E drejta për lirinë dhe sigurinë e personit, detyrimi i shtetit për t’i siguruar dikujt mbrojtje personale kundrejt një sulmi nga të tjerë.
Ngjarja e një të riu që u vra nga duart e efektivit të policisë, është ngjarja më makabre e kohëve të fundit, kjo sepse shteti ka vrarë një djalë të ri, kjo është simbol që ai ka vrarë një brez të tërë. Një brez që dita ditës largohen tufa tufa, një brez që është i lodhur nga keqtrajtimi, nga pamundësia për punësim e për shkollim, ku objektivat sociale janë të paarritshme dhe të pamundura për t’u realizuar prej tyre.
Një brez, i emigruar nëpër botë.
Nuk jemi të sigurt nga ata që duhet të ruanin rendin, dhe kryesohen nga dikush që udhëton me mjete të shtrenjta ndërkohë që shumica dërrmuese e popullit është i zhytyr në varfëri.
Nuk jemi të sigurt se do të na garantohen të drejta kur gjykatat janë jashtë funksioni dhe për më tepër një çështje zvarritet edhe për vite me rradhe. Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar.
Një popull duhet t’i njoh të drejtat e tij dhe të mos bëj kompromis me to, të organizohet bashkë për qëllime të larta, dita ditës unë shoh qytetarë që marrin iniciativën për t’u rebeluar kundrejt çdo kauze shoqërore dhe ky është hapi i parë dhe më i rëndësishëm drejt demokracisë së konsoliduar por edhe të një jetese me moslejimin e veprimeve arbitrare nga ana e shtetit. Ky i fundit, duhet të zotohet për të drejtat e qytetarëve, për të drejtën për të jetuar, për të patur një strehë, për të patur një punë, për t’u shkolluar. Gjithëkush brenda juridiksonit të shtetit shqiptar, ka të drejtë për një jetë të paqtë dhe të begatë. Askush nuk duhet të vuaj, në skamje, mjerim, apo të jetoj në kushte pabarazie dhe diskriminuese. Të gjithë jemi njerëz, çfarëdolloj sistemi qoftë, njeriu nuk mund të nëpërkëmbet si qen rrugësh, sepse ka dinjitet, ka vlera dhe është qytetar i një kombi.
Përgjegjësia: Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën ose pozicionin zyrtar të Qendrës Rinore “Perspektiva”. Supozimet e bëra brenda analizës nuk reflektojnë pozicionin e Qendrës Rinore “Perspektiva”.